Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi daljen e radhës për mediat, ku u ndal në disa çështje kryesore që, sipas tij, përcaktojnë aktualitetin politik dhe ekonomik të vendit. Së pari, Berisha sqaroi qëllimin e nismës “Foltorja”, duke theksuar se ajo synon një debat të hapur dhe dëgjimin e shqetësimeve pa filtra.
Ai konfirmoi se ka pritur Ilir Alimehmetin me kërkesë të këtij të fundit, ndërsa mohoi të ketë pasur takim me Ervin Salianjin, duke nënvizuar se çdo bisedë zhvillohet vetëm mbi bazë kërkese dhe transparence. Kreu i PD-së konfirmoi se “asnjë takim privat nuk do të dëgjohet”.
“Po e kam takuar Alimehmetin. Ka kërkuar takim dhe e kam pritur. Salianji nuk ka kërkuar takim. Me Alimehmetin kemi folur edhe për këto që po ju them ju. Ishte takim mes meje dhe Alimehmetit, e kërkoi vetë. E them që unë pres shumicën dërrmuese”, tha Berisha.
Ndër të tjera, ai ngriti shqetësime të forta për gjendjen ekonomike, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet në rënie të lirë. Sipas tij: “Ekonomia është e goditur nga paratë e drogës, çmimet janë në rritje, lindshmëria në rënie dhe rritja ekonomike nuk vjen nga prodhimi, por nga taksat”.
Ai akuzoi qeverinë për bashkëpunim me krimin e organizuar, duke e cilësuar “narkoshtetin” si kërcënimin kryesor për vendin. Berisha bëri të ditur se Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar, në një mbledhje të mbajtur në Uashington, ka miratuar një rezolutë që dënon qeverinë shqiptare dhe shpreh mbështetje për opozitën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)