Bardhi publikon rezolutën e IDU për Shqipërinë: Shkrirje shtet-parti-krim, të sanksionohen zyrtarët e korruptuar

IDU ka miratuar në forumin vjetor të organizatës, një tjetër rezolutë mbi Shqipërinë. Lidhur me këtë Kreu i grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale pikat e kësaj rezolute që thotë se u miratuan nga partitë anëtare, republikanët e Trump dhe CDU gjermane.

07.12.2025. 21:21

Bardhi publikon rezolutën e IDU për Shqipërinë: Shkrirje shtet-parti-krim, të sanksionohen zyrtarët e korruptuar

Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) ka miratuar në forumin e tij vjetor në Washington DC një rezolutë të re për Shqipërinë, e cila ngre alarm për gjendjen e demokracisë në vend dhe kërkon masa të forta ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Lajmin e ka bërë publik kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka ndarë në rrjetet sociale pikat kryesore të dokumentit. Sipas Bardhit, rezoluta është miratuar “njëzëri nga Partia Republikane e SHBA tek CDU e Gjermanisë”, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të IDU-së.

Në deklarimin e tij, Bardhi thotë se IDU nënvizon shkelje të rënda zgjedhore në procesin e 11 majit. Sipas tij, rezoluta thekson se janë regjistruar “shkelje sistemike gjatë zgjedhjeve, përfshirë blerjen e votës, intimidimin dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore”, duke shtuar se “mbi 4,500 aktivitete shtetërore janë përdorur për fushatë, për të cilat askush nuk mban asnjë përgjegjësi.”

Një tjetër pikë shqetësimi është ndikimi i grupeve kriminale në proceset politike. Rezoluta, sipas Bardhit, paralajmëron se “rrjete kriminale kanë ndikuar listat e kandidatëve dhe proceset politike në Elbasan, Durrës dhe Vorë”, duke cenuar integritetin demokratik.

IDU shpreh shqetësim për politizimin e institucioneve të drejtësisë. Në reagimin e tij, Bardhi thekson se rezoluta kritikon “hetime të bllokuara, vendime të injoruara nga Gjykata Kushtetuese dhe kontroll në rritje të ekzekutivit mbi prokurorinë, gjyqësorin, shtypin dhe institucionet rregullatore.”

Dokumenti adreson edhe çështjen e procedimeve penale ndaj figurave opozitare. Rezoluta, sipas Bardhit, “dënon ndjekjet penale me motive politike ndaj disa figurave të opozitës, përfshirë kreun e PD Sali Berisha, kreun e PR Fatmir Mediu dhe kreun e PL Ilir Meta.”

Një nga akuzat më të forta lidhet me trafikun e drogës. IDU thekson se “Shqipëria mbetet një qendër rajonale për trafik droge dhe pastrim parash, një kërcënim për sigurinë europiane dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së.”

Rezoluta kërkon gjithashtu monitorim më të fortë ndërkombëtar, duke propozuar “krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar të pavarur për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias.”

Një nga pikat kryesore është vendosja e masave ndaj zyrtarëve të korruptuar. Sipas Bardhit, IDU kërkon “sanksione të synuara ndaj zyrtarëve të lidhur me korrupsion, krimin e organizuar dhe ndjekjen politike në vend.”

Rezoluta paralajmëron gjithashtu se “Shqipëria rrezikon të fundoset në një regjim narkoautoritar nëse nuk ndërmerren reforma të menjëhershme.” Në fund, IDU u bën thirrje anëtarëve të saj që të mbështesin opozitën shqiptare, duke nënvizuar angazhimin për “liri, pluralizëm dhe vlera europiane në Shqipëri.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)