Pas 4 foltoreve, Sali Berisha: Jemi gati për protestën kombëtare

Partia Demokratike zhvilloi sot “Foltoren” e katërt përpara Kryeministrisë, ku kryetari Sali Berisha tha se opozita është gati për protestë kombëtare.

08.12.2025. 19:50

Pas 4 foltoreve, Sali Berisha: Jemi gati për protestën kombëtare

Në një ditë që përkon me 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe përvjetorin e nisjes së Lëvizjes Studentore të vitit 1990, Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e saj të radhës përpara Kryeministrisë, e njohur ndryshe si “Foltorja”. Në tubim morën pjesë kryetari i PD-së, Sali Berisha, ish-deputeti Ervin Salianji, deputetë të tjerë të opozitës dhe qindra qytetarë, të cilët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK dhe është pezulluar nga detyra. 

Tubimi zgjati rreth një orë dhe gjatë tij folën përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë, duke përfshirë ish-studentë të Dhjetorit 1990, që kujtuan rëndësinë historike të datës. Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim më të fuqishëm të demokratëve dhe protestave të vazhdueshme deri në largimin e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe bashkëpunimit brenda strukturave të PD-së për të gjetur formula efikase për të sjellë ndryshimin. Kreu i PD, Sali Berisha, ka lajmëruar nisjen e protestave kombëtare, që ai i cilësoi se do të jenë të fuqishme dhe kanë për synim dorëheqjen e Ramës. 

Në këtë foltore të katërt, ajo që ra në sy ishte prezenca e ish-deputetit Ervin Salianji dhe ish-kandidatit për deputet Ilir Alimehmeti, të cilët më parë ishin kritikuar nga një pjesë e demokratëve për takimet e tyre në Durrës me anëtarë të partisë. 

Foltorja e katërt vjen pas tre protestave të mëparshme, ku pjesëmarrja kishte qenë e ulët, por qëndron e fokusuar tek akuzat për korrupsion ndaj qeverisë dhe nevoja për një mobilizim të vazhdueshëm të bazës demokratike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)