Vetëm përpara Kryeministrisë, Lapaj nis protestën e veçantë, kalon natën jashtë

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Adriatik Lapaj ka nisur një protestë të veçantë përpara Kryeministrisë, duke kaluar natën ulur në një karrige. Lapaj shprehet se proteston kundër ndërhyrjes së Ramës në sistemin e drejtësisë dhe për këtë arsye iu bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen.

09.12.2025. 08:06

Vetëm përpara Kryeministrisë, Lapaj nis protestën e veçantë, kalon natën jashtë

Menjëherë pas aktit të 4 të Foltores 2 përpara Kryeministrisë, një tjetër protestë ka nisur para selisë së këshillit të ministrave.

Këtë herë është kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i cili ka zgjedhur një formë shumë të veçantë proteste, ku ka marrë një karrige dhe ka kaluar natën ulur në të.

Në një postim në rrjetet sociale, Lapaj shprehet se e ka nisur këtë protestë kundër kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij po sulmon Gjykatën Kushtetuese.

Lapaj ftoi qytetarët që t’i bashkohen në këtë rezistencë, teksa kërkoi edhe njëherë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

"Do thoni ju çfarë bën në këtë orë tek kryeministria. Kisha 3 vjet që nuk kisha zbritur në shesh për të protestuar. Sot është 8 dhjetori, dita kur nisi lëvizja studentore rrëzoi në thonjëza komunizmin dhe kam pritur gjithë ditën të ketë reagime, protestë, inat në gjithçka po ndodh.

Por në fakt nuk ka ndodhur asgjë nga këto. Sot kam ardhur këtu 3 vite pasi protestoja dikur për çmimet, të nis një protestë tjetër, përballë Edi Ramës i cili duhet të dorëhiqet, i cili ka marrë sulm ndaj drejtësisë dhe në datë 12 Kushtetuesja duhet të shprehet.

Unë sot duhet të nis një protestë këtu, si qytetar, është simbolikë kjo nisje i vetëm dhe do të jem këtu, ditë e natë pa ndalim, jo duke ikur në shtëpi duke ngrënë dreka e darka, duke dalë në televizion e të vij këtu njëherë në kaq. Uroj që këtu të ketë qindra e mijëra protestues në ditët në vijim. Fundja ky është fati im të jem një protestues i përjetshëm. Kur të shprehet gjykata askush nuk mund të kërcënojë gjykatat e këtij vendi aq më shumë Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka gjë për të festuar kur luhet me fatet e vendit. Në mëngjes do i dorëzojmë kërkesën te policia, procedurën - dhe më pas jeni të mirëpritur i madh e i vogël, kur të doni këtu në shesh", tha Lapaj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)