Avokati i Popullit prodhon debat tek "Ligjet", PD tërhiqet, mazhoranca dërgon për votim 6 kandidatë

Në mbledhjen e kësaj të marte në Komisionin e Ligjeve u shqyrtuan kandidaturat e propozuara për postin e Avokatit të Popullit. Kjo çështje u shoqërua me debat të ashpër mazhorancë-opozitë dhe përfundoi në votim me 9 vota pro dhe 3 kundër për dërgimin në seancë plenare të 6 kandidaturave.

09.12.2025. 12:59 >> 13:00

Avokati i Popullit prodhon debat tek "Ligjet", PD tërhiqet, mazhoranca dërgon për votim 6 kandidatë

Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka miratuar me 9 vota pro listën me 6 kandidatët që do të vijojnë garën për postin e Avokatit të Popullit. Tre deputetët e opozitës të pranishëm në komision votuan kundër.

Emrat sakaq pritet të kalojnë për votim në seancën plenare të së enjtes në Kuvend.

Kandidatët që siguruan të paktën 28 firma mbështetëse:

  • Adriana Kalaja – 44 firma
  • Aranita Braho – 35 firma
  • Besim Ndregjoni – 34 firma
  • Endrit Shabani – 35 firma
  • Skënder Haluci – 30 firma
  • Tartar Bazaj – 28 firma

Seanca e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me debate të forta, pasi PD dhe PL deklaruan se janë tërhequr nga mbështetja për kandidatët, duke e konsideruar procesin të pavlefshëm.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, theksoi se tërheqja e firmave e bën listën të pavlefshme. “Të qënurit kandidat nuk e bën shprehja e vullnetit, por firma e deputetit. Tërheqja nga firma është akt juridik. Në momentin kur deputetët janë tërhequr nga firmat, ky proces bëhet nul. Doni apo nuk doni ju!”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PL-së.

Ai më tej e akuzoi komisionin se po injoron aktet zyrtare të tërheqjes. “Kemi një tërheqje, shprehje vullneti të certifikuar. Heqja dorë nga akti juridik njihet. Kush e falsifikoi firmën e kryetarit të Kuvendit?! Jepni përgjigje për këtë gjë.”

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, duke deklaruar se procesi po zbatohet sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Manja u shpreh se tërheqja e opozitës ka ardhur pas afatit dhe se përgjegjësia është e tyre.

“Kujdes Strazimiri, unë nuk gënjej. Ju gënjyet 6 kandidatë, u dhatë firmat dhe u tërhoqët”, u shpreh Manja gjatë debatit me deputetin demokrat Gent Strazimiri.

Por, ligjvënësi opozitar ju kthye duke thënë se “ligji po interpretohet gabim”. Strazimiri kërkoi që në relacion të përfshihej fakti se deputetët e opozitës nuk mbështesin më asnjë kandidat, duke e konsideruar procesin të manipuluar. Ai shtoi se komisioni ka vendosur që deputeti ka të njëjtin afat me kandidatin për të tërhequr firmën.

“Ti thuash deputetëve ‘jeni tërhequr pas afatit’, është debilllëk. E heqim mbështetjen edhe gjatë votimit, edhe një sekondë para votimit”, deklaroi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)