PD tërhiqet nga procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Berisha: PS bëri farsën, preferon Endri Shabanin

Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike është tërhequr dhe nuk është më palë në procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe e cilësoi një "farsë" procesin, duke shtuar se PS ka futur në lojë Endri Shabanin.

09.12.2025. 13:50

PD tërhiqet nga procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Berisha: PS bëri farsën, preferon Endri Shabanin

Pak pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ku me 9 vota pro të mazhorancës dhe 3 kundër të opozitës, kaluan për votim në seancën e radhës plenare 6 kandidatët për postin e Avokatit të Popullit, kryedemokrati Sali Berisha nga në një konferencë për media e cilësoi procesin si farsë, të diktuar nga Partia Socialiste.

Berisha njoftoi se PD-ja tërhiqet plotësisht nga procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke akuzuar Partinë Socialiste se po përdor manipulime për të favorizuar kandidaturën e ish-kreut të Nisma Thurje, Endri Shabani.

Sipas Berishës, deputetët e PD-së kanë tërhequr nënshkrimet për të gjitha kandidaturat e paraqitura më pare dhe sqaroi se mazhoranca solli kandidaturën e saj, atë të Endri Shabanit me firmat fillestare që, sipas tij, ishin dhënë përpara verifikimit nga Komisioni i Ligjeve. Ai e përshkroi aktin e PS-së si “loje të turpshme” dhe deklaroi se PD nuk do të marrë pjesë në këtë procedurë.

“Narkomazhoranca ka bërë një lojë të turpshme. Ne kemi qenë të bindur në intrigat dhe banalitetin e tyre. Balla informoi se avokatin e Popullit ia kemi lënë opozitës, unë iu thash juve se ata do pendohen dhe tani tregojnë se u penduan. Mund ta imagjinoni këtë? Opozita ka tërhequr të gjitha firmat për kandidaturat e tjera, përveç kandidaturave të përzgjedhura vetë, që jam Besim Ndregjoni, Kalaja, Jola Hysaj, Aranita Braja, Haluci, Dardan Mustafa. Sot futën kandidaturën e tyre. Kandidatura kishte marrë firmat, por ne i tërhoqëm. Manja thotë se nuk njoh Taon, dhe nuk njoh tërheqjen e firmave. Arrijnë deri këtu për të nxjerrë atë që thotë Rama. Ne tërhiqemi nga procesi, ne nuk jemi më palë në procesin e zgjedhjes së avokatit të popullit. Histori e turpshme e Ramës, por ne një farsë nuk marrim pjesë. Ne u treguam të arsyeshëm, nuk thamë ose ky, ose asnjë tjetër, ne paraqitëm disa kandidatura, ata shtuan kandidaturat e tyre. Është Endri Shabani. PD tërhiqet nga procesi, PD nuk merr pjesë në proces, kjo është një turp i këtyre. Ne nuk marrim pjesë në votim farsë, kjo që bën është akt i ulët, primitiv i Ramës. Do shkojë një person që s’ka asnjë lidhje me opozitën”, tha Berisha.

PD pretendon se, sipas ligjit për Avokatin e Popullit, nënshkrimi i deputetëve duhet të vijë pasi kandidatët janë “kualifikuar” nga Komisioni i Ligjeve, jo më parë. Me tërheqjen e firmave, PD-ja propozon që kandidaturat të rishikohen dhe të nisë një proces i ri, transparent, në bashkëpunim me mazhorancën.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)