Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë, duke akuzuar se kërkojnë rritje të mëtejshme pagash në nivele që, sipas tij, sfidojnë logjikën dhe balancat mes pushteteve. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se magjistratët e GJKKO-s dhe prokurorët e SPAK-ut po kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese një shtesë prej 3100 eurosh, që do ta çonte pagën e tyre mujore në 9230 euro.
Rama thekson se aktualisht këto kategori marrin 6130 euro në muaj dhe kërkesa e re është, sipas tij, e pajustifikueshme. Ai shton se për shumëkënd një pretendim i tillë duket i pabesueshëm, por shton se “jo vetëm që ka mundësi”, por është realitet.
Sipas Kryeministrit, kërkesat nuk vijnë vetëm nga magjistratët e zakonshëm, të cilët kërkojnë një rritje prej 1600 eurosh, por edhe nga ata që kanë pagat më të larta në vend, gjyqtarët e GJKKO-s dhe prokurorët e SPAK-ut. Rama e lidh këtë situatë me atë që e quan “rrezik real për përmbysjen e balancës demokratike mes pushteteve”, duke akuzuar se Gjykata Kushtetuese po ndërhyn në kompetencat e qeverisë dhe institucioneve të tjera të larta të shtetit.
“Kushdo që mendon se unë kam hallin te një ministër, gabon. Problemi është te prishja e ekuilibrave”, shkruan Rama, duke paralajmëruar se vendimet e gjykatave mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e shtetit dhe financat publike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)