Kryetari i komanduar i Bashkisë Vlorë, Elis Halili, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej datës 10 shtator, periudhë kur u largua ish-kryebashkiaku Ermal Dredha. Halili e drejtoi bashkinë përkohësisht deri në zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale, të cilat u mbajtën një muaj më parë.
Në këto zgjedhje, kryebashkiake u zgjodh kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini, e cila tashmë pritet të marrë zyrtarisht detyrën në krye të Bashkisë Vlorë. Dorëheqja e Halilit vjen pasi procesi zgjedhor është mbyllur dhe kompetencat do ti kalojnë kryetares së re të zgjedhur.
Për sa i takon ish-kryebashkiakut Ermal Dredha, pas dorëheqjes nga posti në Vlorë, ai është emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Bernë, si edhe Ambasador jo rezident në Principatën e Lihtenshteinit. Dredha ka një karrierë të gjatë diplomatike, pasi nga viti 2016 deri në vitin 2023 ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)