Në natën e dytë të protestës së tij të pazakontë para godinës së Kryeministrisë, Adriatik Lapaj nuk është më i vetëm. Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kishte nisur protestën kundër qeverisë dhe akuzave të ngritura kohët e fundit, duke kaluar natën vetëm me një karrige. Këtë mbrëmje, Lapaj u shoqërua nga dhjetëra qytetarë që iu bashkuan iniciativës së tij.
Lapaj ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për të rritur pjesëmarrjen në protestë. Ai tha se, pavarësisht presionit të policisë që hoqi çadrat e vendosura, nuk do të heqin dorë.
“Urojmë që qytetarët të bashkohen masivisht. Ata që më ndjekin e dinë që sa herë i kam hyrë një proteste ka zgjatur. Nuk ka kthim pas, do të rrimë këtu. Kjo e dëmton autokracinë e Ramës që është kthyer në të pangopur. Sot jemi pak, por po u bëmë 10 mijë, a do vijnë të marrin çadrat prapë… Të dashur ndjekës, na dërgoni batanije, kemi nevojë për çdo gjë që të kalojmë natën. Ftohtë është, por nuk ka kthim pas. Shefi i tyre, Rama, e humbi durimin me gjyqtarët, punonjësit e policisë e humbën durimin me ne,” tha Lapaj.
Pse po proteston Lapaj?
Adriatik Lapaj tha gjatë ditës se në këtë protestë ka dalë si qytetar dhe aktivist, i zhgënjyer nga mungesa e reagimit shoqëror ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend. Ai theksoi se kishte pritur protesta dhe përballje publike në dhjetor, sidomos për çështje që prekin të rinjtë dhe studentët, për ikjen masive nga vendi dhe mungesën e shpresës. “Mendova të bëhem një shkëndijë. Një shkrepëse e vogël që mund të ndezë një lëvizje që Shqipëria e ka shumë nevojë”.
Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion ndaj institucioneve të drejtësisë, sidomos ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mbrojtja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, sipas tij, tregon frikën e Ramës nga përparimi i hetimeve. “Po dal për pavarësinë e gjyqësorit. Ky është moment historik. O vendoset drejtësia, o ky shtet shkon drejt shkatërrimit,” tha Lapaj ndërsa vijon protestën në natën e dytë para Kryeministrisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)