Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në “Tirana Economic Forum”, i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë investitorëve të huaj që të shfrytëzojnë momentin aktual të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Duke theksuar rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe avancimin e shpejtë drejt integrimit europian, Rama u shpreh se vendi është sot më i përgatitur se kurrë për investime afatgjata dhe me vlerë të lartë. Sipas tij, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku stabiliteti ekonomik dhe reformat po japin rezultate konkrete.
“Investimet e huaja direkte në vitin 2024 arritën 1.58 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe është akoma në rritje”, tha Rama, duke e konsideruar këtë një tregues të qartë të besimit ndërkombëtar në tregun shqiptar.
Rama nënvizoi gjithashtu se objektivi për anëtarësim në Bashkimin Europian mbetet i arritshëm.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në 2030 është i mundshëm dhe ne jemi këtu jo vetëm për të pritur Evropën, por për ta ndërtuar Evropën këtu”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Ai shtoi se rruga drejt BE-së nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike, me standarde, institucione dhe një klimë të përshtatshme biznesi. Duke iu drejtuar investitorëve të huaj, kreu i qeverisë dha një mesazh të qartë.
Ai theksoi se vendi po ngrihet me ritme të shpejta dhe po shndërrohet në një korridor zhvillimi nga veriu në jug, duke u bërë një destinacion i sigurt dhe i qëndrueshëm për kapitalin e huaj.
“Shqipëria po hyn në kapitull të ri që është sa i pëlqyeshëm aq edhe sfidues. Është kapitull zhvillimi modern, besimi dhe ambicie evropiane. Ne kemi stabilitet, ritmin dhe një shoqëri të re me talente dhe energji. Dhe ftesa jonë është shumë e thjeshtë, besoni te kjo Shqipëri që po ngrihet. Investoni te kjo Shqipëri që po transformohet dhe bëhuni pjesë e suksesit që po ndërtojmë. Momenti është tani dhe Shqipëria është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata. Ne mirëpresim partneritete që ofrojnë dije dhe inovacion”, deklaroi shefi i qeverisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)