Nga buxheti tek zgjedhja e Avokatit të Popullit, nis seanca maratonë në Kuvend

Ka nisur në Kuvend seanca maratonë ku do të miratohet projektbuxheti 2026 me vlerë 8.8 miliardë euro, si edhe tetë projektligjet e paketës fiskale. Një çështje që ka përplasur që në start palët është ajo për Avokatin e Popullit, zgjedhja e të cilit është futur në ngërç pasi PD tërhoqi firmat.

11.12.2025. 10:43

Nga buxheti tek zgjedhja e Avokatit të Popullit, nis seanca maratonë në Kuvend

Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku deputetët do të shqyrtojnë një rend dite të ngarkuar me çështje të rëndësishme, përfshirë dy interpelanca, diskutimin e projektbuxhetit 2026, paketën fiskale dhe procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Seanca nis me interpelancën e kërkuar nga deputetja e PD-së Ina Zhupa me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, lidhur me projektin e restaurimit dhe rikualifikimit urban të zonës TID në Durrës. Zhupa kërkon sqarime për procedurat dhe ndikimin e projektit, ndërsa ministri Gonxhja pritet të japë detaje mbi procesin e zhvillimit dhe financimit.

Më pas pritet të zhvillohet interpelanca e deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, me kryeministrin Edi Rama. Shehaj kërkon shpjegime mbi prishjen e ndërtimeve pa vendime të formës së prerë dhe pa respektuar procedurat ligjore, çështje që ka sjellë debate të forta në javët e fundit.

Pas interpelancave, Kuvendi do të vijojë me shqyrtimin e projektligjeve të lidhura me paketën fiskale të vitit të ardhshëm dhe buxhetin 2026. Diskutimet pritet të zgjasin, pasi opozita ka paralajmëruar kundërshtime për rritjen e shpenzimeve, taksave dhe prioriteteve të qeverisë.

Në sallë është ndezur debati për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi Partia Demokratike ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës të votimit. PD ka depozituar kërkesën për tërheqjen e firmave që deputetët e saj kishin dhënë për 6 kandidatët, duke pretenduar se i vetmi emër që duhet të hiqet është ai i Endri Shabanit.

Sipas PD-së, kandidatë të opozitës janë vetëm Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni, ndërsa emri i Shabanit nuk përfaqëson propozim të tyre. Tërheqja e firmave është kundërshtuar nga mazhoranca, e cila thotë se procedura nuk mund të ndryshohet në këtë moment të procesit.

Në foltore, Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po cenon rregullat e miratuara nga vetë Komisioni i Ligjeve.  “Respektuam vendimin e Komisionit të Ligjeve që lejoi vetëm një firmë për çdo deputet. Në përputhje me këtë vendim tërhoqëm firmat. Tani ju po e përmbysni vendimin tuaj vetëm sepse doni të mbani në garë kandidatin që ju pëlqen. E bëni sepse e dini që lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë”, tha kreu i PD.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)