Avokati i Popullit fut Kuvendin në tension, PD kërkon të hiqet nga rendi i ditës

Debate në Kuvend për çështjen e Avokatit të Popullit. PD kërkon të hiqet nga rendi i ditës, ndërsa PS refuzon.

11.12.2025. 11:03

Avokati i Popullit fut Kuvendin në tension, PD kërkon të hiqet nga rendi i ditës

Seanca e Kuvendit ka nisur me tensione mes PS dhe PD dhe kjo për çështjen e zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit.

Demokratët kanë kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës me arsyetim se kanë tërhequr firmat për 6 kandidatët. Ata kërkojnë heqjen nga lista të emrit të Endrit Shabanit.

“Keni futur një emër për të cilin janë tërhequr të gjithë firmat. A ka në 3 dekada parlamentarizëm që të hidhet në votim një kandidat për të cilin janë tërhequr firmat? Në rregullore, është e shkruar qartë që në rast se para seancës tërhiqet iniciativa, nuk mund ta futësh në rend dite. Ky parlament ka një memorie. Ligjin për Avokatin e Popullit e ka bërë Sali Berisha. Ju gënjeni. Ky nuk është avokati i popullit, por i pushtetit. Keni uzurpuar të gjitha institucionet”, u shpreh deputetja Jozefina Topalli.

Ndërkohë, që kreu i grupit të PS, Taulant Balla kërkon që të vijohet me rendin e ditës, teksa shton se opozita nuk ka dhënë asnjë argument se përse çështja e Avokatit të Popullit duhet të hiqet.

“Ky moment i rendit të ditës është i rregulluar. Ka ardhur një kërkesë për heqjen nga rendi i ditës. Ende nuk kemi dëgjuar argumentin përse duhet ta heqim nga rendi i ditës. Njëri i bie patkoit dhe tjetri gozhdës. Asnjë nuk thotë përse duhet ta heqim nga rendi i ditës. Dëgjova batuta...Ju tallen me Besim Ndregjonin, ju e gënjeni. Nuk mund të zgjidhet pasi është mbi 70 vjeç. Nuk bëhet dot, nuk e le ligji. Ju talleni me Adriana Kalanë”, tha Balla.

Seanca e Kuvendit është ndërprerë për disa minuta pas fyerjeve që deputeti demokrat Flamur Noka lëshoi në drejtim të Ballës, i cili i kërkoi kryetarit përjashtimin e tij për të vijuar punën.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)