Mazhoranca rrëzon kërkesën e PD, sot votohet për Avokatin e Popullit

Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të hequr nga rendi i ditës votimin e Avokatit të Popullit.

11.12.2025. 13:03

Mazhoranca rrëzon kërkesën e PD, sot votohet për Avokatin e Popullit

Me 77 vota kundër, mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të hequr nga rendi i ditës pikën e votimit të Avokatit të Popullit.

Demokratët kanë kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës me arsyetim se kanë tërhequr firmat për 6 kandidatët. Ata kërkojnë heqjen nga lista të emrit të Endrit Shabanit.

Pas këtij votimi, Kuvendi do të duhet të votojë sot një nga 6 emrat që kanë shkuar si kandidatë për Avokatin e Popullit.

Lista e kandidatëve për Avokat Populli përbëhet nga Aranita Brahaj, Besim Ndregjonaj, Jola Hysaj, Tartar Bazaj, Adriana Kalaja, Endri Shabani.

“Keni futur një emër për të cilin janë tërhequr të gjithë firmat. A ka në 3 dekada parlamentarizëm që të hidhet në votim një kandidat për të cilin janë tërhequr firmat? Në rregullore, është e shkruar qartë që në rast se para seancës tërhiqet iniciativa, nuk mund ta futësh në rend dite. Ky parlament ka një memorie. Ligjin për Avokatin e Popullit e ka bërë Sali Berisha. Ju gënjeni. Ky nuk është avokati i popullit, por i pushtetit. Keni uzurpuar të gjitha institucionet”, u shpreh deputetja Jozefina Topalli.

Ndërkohë, që kreu i grupit të PS, Taulant Balla kërkon që të vijohet me rendin e ditës, teksa shton se opozita nuk ka dhënë asnjë argument se përse çështja e Avokatit të Popullit duhet të hiqet.

“Ky moment i rendit të ditës është i rregulluar. Ka ardhur një kërkesë për heqjen nga rendi i ditës. Ende nuk kemi dëgjuar argumentin përse duhet ta heqim nga rendi i ditës. Njëri i bie patkoit dhe tjetri gozhdës. Asnjë nuk thotë përse duhet ta heqim nga rendi i ditës. Dëgjova batuta...Ju tallen me Besim Ndregjonin, ju e gënjeni. Nuk mund të zgjidhet pasi është mbi 70 vjeç. Nuk bëhet dot, nuk e le ligji. Ju talleni me Adriana Kalanë”, tha Balla.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)