Berisha në 35-vjetorin e PD: Rama na u bashkua si pedagog, sot ka krijuar narkoshtetin e parë në Europë

Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha kujtoi figurat historike të saj, ndërsa sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, të cilin e përshkroi si “fatkeqësi për kombin shqiptar”.

11.12.2025. 20:07

Berisha në 35-vjetorin e PD: Rama na u bashkua si pedagog, sot ka krijuar narkoshtetin e parë në Europë

Në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, lideri i opozitës, Sali Berisha, mbajti një fjalim të gjatë ku kujtoi themelimin e PD-së, kontribuesit e saj dhe sfidat e kaluara, ndërsa nuk kursente kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama. 

Berisha riktheu kujtime nga vitet e para të pluralizmit politik, duke përmendur se Rama iu bashkua PD-së si një pedagog i Akademisë së Arteve, por më pas u kthye në “fatkeqësi për kombin shqiptar”. “Ky djalë ishte Edvin Rama, ai nuk rezistoi dot as disa orë te PD. Demokratët kanë instinkt të pagabueshëm për ta njohur të mirin dhe të keqin”, tha Berisha. 

Lideri i opozitës kujtoi gjithashtu emra të shquar të PD-së, përfshirë Azem Hajdarin, Pjetër Arbnorin, Ali Spahinë, Bujar Nishanin dhe Sokol Olldashin, duke nënvizuar kontributin e tyre në ndërtimin e pluralizmit politik dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai e përshkroi PD-në si forcën e parë politike në Europën ish-komuniste që riktheu besimet fetare dhe përmbysi diktaturën e fundit komuniste. 

Berisha e lidh fitoren e PD-së me betejat për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë. Ai sulmoi Ramën duke e akuzuar për krijimin e “narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, ndërprerjen e zgjedhjeve të lira dhe shpopullimin e vendit. “Ne luftojmë për shpëtimin e demokracisë, familjes shqiptare dhe Shqipërisë. Sot ata që bënë padrejtësi ndaj nesh hetohen për korrupsion. Qeshte Lubia një vit më parë, tani nuk futet dot në parlament. Pas Lubisë, e ke radhën ti, Edi Rama”, deklaroi Berisha. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)