Endrit Shabani zgjidhet Avokat i Popullit me 85 vota, opozita braktis votimin

Grupet parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate dhanë mbështetjen e tyre, ndërsa u regjistruan 3 vota kundër dhe asnjë abstenim.

11.12.2025. 23:28

Endrit Shabani zgjidhet Avokat i Popullit me 85 vota, opozita braktis votimin

Kuvendi ka zgjedhur Endrit Shabanin në postin e Avokatit të Popullit, pas një votimi ku ai siguroi 85 vota pro, mes tyre edhe votën e kryeministrit Edi Rama. Grupet parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate dhanë mbështetjen e tyre, ndërsa u regjistruan 3 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Opozita nuk ishte e pranishme gjatë procedurës, pasi pak para nisjes së votimit braktisi sallën në shenjë kundërshtimi. Deputetët e saj kërkuan që zgjedhja e Avokatit të Popullit të shtyhej dhe të hiqej nga rendi i ditës, duke theksuar mungesën e marrëveshjes politike për kandidatët. Kërkesa nuk u pranua.

Zgjedhja e Shabanit vjen pas një periudhe të gjatë ngërçi, me institucionin e Avokatit të Popullit që prej tre vitesh udhëhiqet jashtë mandatit nga Erinda Ballanca. Fillimisht, Partia Demokratike kishte firmosur për gjashtë kandidatë, përfshirë edhe Shabanin, por më pas u tërhoq nga mbështetjet e dhëna.

Debati i zhvilluar para votimit u dominua nga akuzat e opozitës ndaj mazhorancës për marrëveshje të fshehta rreth emrit të Shabanit, akuzë që socialistët e kundërshtuan, duke theksuar se procedura ishte ndjekur sipas rregullave parlamentare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)