Me 75 vota pro dhe 20 kundër Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pas mesnate projektligjin “Për Marrëveshjen Fiskale’, i kundërshtuar nga Komisioni Evropian, FMN, por edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Kundër këtij ligji ishte edhe opozita, madje zëra kritikë vinin dhe nga radhët e mazhorancës, me deputetin Erion Braçe që kishte bërë dhjetëra amendime, por që të gjitha nuk u pranuan nga kolegët e tij duke u rrëzua me forcën e kartonit.
Braçe propozoi që kompanitë që do të përfitojnë nga paqja fiskale duhet të deklarojnë burimin e parave dhe pronarin përfitues si dhe bizneset që do të rrisin deklarimet duhet që të vërtetojnë burimin e parave për të mos ligjëruar pastrimin e parave.
“Propozimet që kam bërë, thellojnë karakterin e ligjit. I jep mundësi të gjithë atyre që kanë mashtruar shtetin me fitimin, me të ardhurat, me bilancet financiare, i jepet mundësia për deklarim real për të përfituar nga paqja. Të gjithë propozimet që kam bërë ndajnë thelbin e ligjit me mundësinë për të pastruar para. Secili propozim i bën mirë ligjit në këtë aspekt. Një subjekt që për 20 vite ka deklaruar 3% normë fitimi, nuk mund të vijë e të deklarojë 19% fitim, dhe të përfitojë 5% për atë 1% mbi 18%. Po duhet ta thotë edhe burimin e të ardhurat. Edhe ato që u morën parasysh në komision dhe u rrëzuan tani heqin mundësinë për pastrim parash, dhe i japim ligjit karakter transparence”, tha Braçe.
Ndërkohë, deputetja Jorida Tabaku teksa paralajmëroi se ky ligj i hap rrugë parave të pista, paralajmëroi se do ta dërgojë atë në Kushtetuese, ndonëse i bëri edhe një thirrje presidentit Begaj që të mos e dekretojë atë.
“Sot në nisje të seancës, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kërkova që ligji për marrëveshjen e paqes fiskale të tërhiqej nga rendi i ditës. Disa nga kolegët kanë bërë amendamente për t'u përpjekur për të kufizuar dëmet që ky ligj ka dhe që do të ketë në ekonomi. Por ne besojmë dhe gjykojmë që ligji është antikushtetues. Ligji cenon barazimin përpara ligjit. Ligji nga ana tjetër hap edhe një shteg për pastrimin e parave, jo se në ekonominë shqiptare nuk po ndodh pak ky fenomen. Ligji ka mungesë transparence, ligji cenon konkurrencën. Ligji është një nga ligjet më të lobuara që vijnë këtu në Parlamentin e Shqipërisë. Disa nga amendamentet e prezantuara nga kolegët socialistë për përjashtimin e kontratave koncesionare, partneriteti publik privat, kompanive që janë hetim, kompanive që janë subjekt i SPAK-ut, kompanive që kanë ortak që janë hetim, janë bërë njëkohësisht edhe nga deputetë e Partisë Demokratike, për t'u përpjekur për të kufizuar dëmet që ky ligj ka. Edhe në qoftë se presidenti e dekreton, grupi parlamentar i Partisë Demokratike të gjithë do ta shohin ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tabaku.
Projektligji për ‘Marrëveshjen e Paqes Fiskale’ parashikon lidhjen e një marrëveshje mes bizneseve të mëdha dhe tatimeve për të negociuar fitimin. Konkretisht mbi fitimin e deklaruar të një biznesi këtë vit, do të shtohet një marzh 18% në 2026-ën, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.
Gjithashtu kush hyn në marrëveshje ka të drejtë të korrigjojë pasqyrat financiare të 5 viteve të mëparshme, deri me 30%. Pra nëse në vitin 2022, një biznes ka deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ai do të mund të ndryshojë pasqyrën financiare, dhe ti rrisë të ardhurat deri në 60 mijë euro, kjo pjesë do të tatohet me vetëm 5%.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)