“AKSHI ‘kopshti privat’ i Ramës”, Berisha: Agasi e Beqiri fshihen te çunat e Dubait

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e një skeme të organizuar korrupsioni nëpërmjet institucioneve shtetërore, duke e cilësuar AKSHI-n si “kopshtin privat” të familjes së tij, deklarata vjen menjëherë pas masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK.

16.12.2025. 13:53

“AKSHI ‘kopshti privat’ i Ramës”, Berisha: Agasi e Beqiri fshihen te çunat e Dubait

Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se ka ndërtuar, sipas tij, “një bandë hajdutësh” në krye të institucioneve shtetërore, ku AKSHI mbetet struktura më problematike. Ai përmendi me emra disa persona, mes tyre Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, duke thënë se këta kanë qenë pjesë e një skeme të organizuar për manipulimin e tenderëve publikë dhe përfitimin e qindra milionë eurove. Kjo deklaratë e Berishës vjen pasi SPAK lëshoi masa sigurie këtë të hënë për 8 persona, mes tyre edhe ata të përmendur nga kreu i PD.

Sipas Berishës, dosjet për këto afera janë depozituar prej kohësh nga Partia Demokratike, por rrezikojnë të mbeten “dosje kallëp” nëse nuk shkohet, siç u shpreh ai, deri te përgjegjësia e familjes së kryeministrit. Ai deklaroi se në historinë e shtetit shqiptar nuk ka pasur kurrë raste kur, sipas tij, “250 tenderë janë zhvilluar vetëm për të fituar familja e kryeministrit”.

“Duhet të jenë shqiptarët që t’i çelin rrugën atij hetimi duke larguar Ramën. Ato dhjetëra qindra milionë euro të prokurimeve sekrete, vetëm për tenderin e mirëmbajtjes të programit të thesarit të shtetit, u shpenzuan dhjetëra milionë. Ahmetaj ka deklaruar se ky hajdut ka praktikuar çmime të dhjetëfishta, Ahmetaj ka një mëritë sepse u tha shqiptarëve, “kopshti privat i familjes Rama është AKSHI. Ai kishte krahasuar çmimet reale të produkteve të fushë kompjuterike që sillte për shkolla që kishte deklaruar në dogana me çmime që ekzistonin në dyqane me pakicë dhe ato kishin diferencë si nata me ditën. Ato para shkonin në Surrel dhe nuk i kontrollonte kush”, tha Rama.

Kreu i PD-së shprehu skepticizëm të fortë ndaj një hetimi të plotë nga SPAK, duke thënë se Edi Rama “nuk do të lejojë kurrë hetimin e bashkëshortes së tij”, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë masivisht përballë kësaj situate. Berisha solli në vëmendje edhe deklarime të ish-zyrtarëve, duke pretenduar se çmimet e prokurimeve në fushën e teknologjisë ishin shumëfish më të larta se ato reale dhe se diferencat përfundonin jashtë kontrollit shtetëror.

Në vijim, ai pretendoi se disa nga personat kryesorë të përfshirë ndodhen jashtë vendit dhe janë larguar të paralajmëruar për masat e sigurisë. Berisha hodhi dyshime edhe mbi mungesën e kontrolleve në banesën e kryeministrit në Surrel, duke e konsideruar këtë si provë të standardeve të dyfishta në drejtësi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)