Rama i shkon Thaçit në Hagë: E gjeta në formë në godinën ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, duke e gjetur “të qetë dhe të buzëqeshur”. Rama e cilësoi arrestimin dhe procesin ndaj Thaçit si një farsë ndërkombëtare.

18.12.2025. 12:55

Rama i shkon Thaçit në Hagë: E gjeta në formë në godinën ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, duke e përshkruar gjendjen e tij si “të qetë dhe të buzëqeshur”. Rama e cilësoi arrestimin dhe procesin ndaj Thaçit si një farsë ndërkombëtare, të nisur për trafik organesh dhe të mbështetur nga “kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg”, siç i quajti ai.

Më tej, Rama shkruan se diskutuan për familjet, miqtë e përbashkët, librat dhe historinë e Shqipërisë e Kosovës, përfshirë punimet e Aurel Plasarit dhe librin e fundit të Henry Kissingerit. Ai përmendi se Thaçi i referohet Hagës si “institut” dhe e ka ruajtur një karakter të hekurt pavarësisht rrethanave.

Kryeministri kritikoi procesin ndërkombëtar si një “turp ulëritës” ndaj një populli që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist dhe një Europë nga një njollë e zezë aparteidi. Ai përfundoi mesazhin duke uruar bekim për Republikën e Kosovës.

“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.

E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar, një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”.

Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë aparteidi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.

Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, shkruan kryeministri Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)