“Të rrëzojmë Diktaturën e dytë”, Berisha nga Kavaja: Rama po pengon drejtësinë

Sali Berisha kërkoi nga Kavaja që të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës më 22 dhjetor. Kreu i demokratëve i bëri thirrje kryeministrit Rama që të mos pengojë drejtësinë për Ballukun.

18.12.2025. 18:48

“Të rrëzojmë Diktaturën e dytë”, Berisha nga Kavaja: Rama po pengon drejtësinë

Sali Berisha e përdori ceremoninë e 35 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Kavajë, për t’iu bërë thirrje mbështetësve, por edhe mbarë shqiptarëve që të bashkohen në protestën kombëtare që është thirrur kundër qeverisë, në Tiranë, më 22 dhjetor.

Kreu i demokratëve paralajmëroi kryeministrin Rama që të heqë dorë nga pengimi i drejtësisë për çështjen Balluku.

“Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë. I them mos guxo të mbrosh me votat e rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që u ngritëm në 1990 për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi të gatshëm me motivin ja të vdesim ja të rrojmë për liri. Ndaj dhe nga Kavaja, i bëj thirrje mos pengo drejtësinë, largohu nga pushteti sepse je sjellë ndaj shqiptarëve si armik. Qytetarë të Kavajës, historia iu thërret sërish. Të ngrihemi për të përmbysur Diktaturën e dytë që po shkatërron vendin. Edi Rama qëndron në pushtet jo se është trim, por sepse nuk ngrihemi ne. Ne qytetarët e lirë nuk e pranojmë një regjim si ky. Ftoj qytetarët e Kavajës dhe Shqipërisë të nisim betejën tonë pa kthim deri në fitoren e PD”, tha Berisha.

Po ashtu, Sali Berisha përkujtoi dhe lëvizjen antikomuniste të Kavajës dhe heronjtë e parë të demokracisë.

“Lëvizja antikomuniste në Kavajë, ishte më e fuqishmja në Shqipëri. Pas demonstrative të janarit erdhi kryengritja e marsit, ku ra heroi i parë i demokracisë Josif Buda. Kavaja ishte qyteti i parë i lirë i Shqipërisë. Nderim të pakufijshëm për të gjithë djemtë, e burrat e Kavajës që me demonstratat e marsit çliruan qytetin. Kavaja e lirë që në nëntor të 1990, luajti një rol vendimtar për fatin e PD. Ishit ju që u bëtë mburojë për forcat e PD”, shtoi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)