Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një përshkallëzim të fortë të aksionit opozitar, përfshirë edhe grevën e urisë, gjatë një takimi me aleatët. Ai akuzoi qeverinë se ka asgjësuar parlamentin dhe se vendi po drejtohet nga një “narkodiktaturë”, ndaj, sipas tij, protesta e qëndrueshme mbetet mjeti i vetëm për ndryshim.
“Këta kanë asgjësuar parlamentin. Parlamenti nuk ekziston. Protestat tona do të diversifikohen me greva urie, me të gjitha format, derisa të përmbushim misionin tonë. Me këtë regjim është jetike protesta e qëndrueshme, revolta e qëndrueshme. Ato janë forma që rrëzojnë narkodiktatura”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD theksoi se opozita mbështet drejtësinë vetëm kur ajo vepron në përputhje me ligjin dhe kundërshton çdo formë dhune. “Mbështes plotësisht ata që zbatojnë ligjin. Opozita ka qenë dhe mbetet për shtetin ligjor. Ne nuk kemi organizuar dhunë ndaj organeve të drejtësisë”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj për presion dhe dhunë ndaj institucioneve të drejtësisë, duke shtuar: “Denoncoj çdo kërcënim ndaj punonjësve të zbatimit të ligjit dhe familjarëve të tyre”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)