Berisha konfirmon skenarët për protestën e 22 dhjetorit

Kreu i Partisë Demokratike lë të hapura të gjitha opsionet, nga revolta paqësore, deri te greva e urisë.

19.12.2025. 13:40

Berisha konfirmon skenarët për protestën e 22 dhjetorit

Opozita nuk përjashton asnjë opsion për protestën e paralajmëruar, që do të zhvillohet më 22 dhjetor. Konfirmimi u dha nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili theksoi se PD mbetet një forcë politike paqësore.

I pyetur nëse ekziston rreziku i dhunës, kreu i opozitës tha se mund të ketë revolta paqësore dhe greva urie, por nuk përmendi që deputetët do të hyjnë në grevë. Ai shtoi se çdo veprim mbetet i hapur dhe se dhuna nuk është pjesë e filozofisë së demokratëve.

“Për ta bërë të qartë, ne jemi forcë politike paqësore. Diktaturën më të dhunshme e mundëm në mënyrë paqësore. Ka revolta paqësore, të cilat kanë oshilacionet e tyre. Grevat janë opsione të hapura”, tha Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon Shqipërinë drejt “greminës” dhe kërkoi largimin e tij të menjëhershëm nga qeveria për të hapur rrugë për zgjedhje të reja. “Kërkoj largimin e menjëhershëm të qeverisë për të përgatitur zgjedhje të reja. PD dhe opozita kërkojnë shtetin ligjor dhe respektimin e Kushtetutës. U jemi drejtuar qytetarëve me bindjen se është radha e tyre për të përcaktuar me revoltë fatin e vendit dhe të familjeve të tyre”, përfundoi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)