Arrestimi i Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro nga forcat amerikane gjatë inkursionit që zhvilluan herët në mëngjes në Karakas, nuk ka kaluar pa u komentuar as në Tiranë.
Sali Berisha, i cili shpesh e ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me të, duke e etiketuar edhe si Ramaduro, u shpreh në daljen e parë të 2026-s se rënia e regjimit të Maduros është ogur i mirë edhe për Shqipërinë.
“Forcat ushtarake amerikane dhe qeveria e SHBA morën vendimin e tyre për rrëzimin, arrestimin e diktatorit të shëmtuar të Venezuelës, Maduros, dhe evakuimin e tij jashtë vendit për t’i bërë gjyqin e merituar. Largimi i Maduros nga pushteti, këtij diktatori të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanti për popullin e Venezuelës që vuajti kaq vite nën regjimin e tij. Por është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, të cilat mediat amerikane dhe jo vetëm ato, e kanë quajtur Ramaduro”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD, zhvillimet e fundit në Venezuelë do të jenë një shtysë për opozitën shqiptare që të kryejë detyrën e saj dhe misionin për të çuar vendin ne zgjedhje të parakohshme, për të larguar Edi Ramën nga pushteti.
“Këto zhvillime në Venezuelë janë një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e vet, largimin sa më shpejt nga pushteti të një personi, të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet e tij me krimin dhe drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve. Edi Rama apo Ramaduro i ka shpallur luftë të hapur drejtësisë. Në monologun e tij për tre orë pranoi të gjitha vjedhjet që u ka bërë shqiptarëve, por nuk i konsideron vjedhje, ndaj edhe mori në mbrojtje Lubi Ballukun dhe Lindën e AKSHI-t për të cilën tha se kishte respekt maksimal. Rama u zotua se nuk do pranojë vendimet e prokurorisë dhe gjykatave për rrethin e tij familjar dhe ministrat e tij. Në këtë kontekst mbetet vetëm zëri i opozitës, po shkohet drejt një grusht shteti dhe fjalën e ka populli dhe vetëm populli. Kjo situatë na fton dhe nuk ka gjen të papërgatitur”, u shpreh Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)