Caktohet mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

Konferenca e Kryetarëve vendosi të mbajë më 28 janar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit për zv.kryeministren Belinda Balluku.

12.01.2026. 17:01

Caktohet mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që më 28 janar në orën 12:00 të mbahet mbledhja e lënë përgjysmë e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion për heqjen e imunitetit për zv.kryeministres Belinda Balluku.

Mbledhja e parë e Këshillit e Mandateve për imunitetin e Ballukut u mbajt më 19 dhjetor, por më pas u ndërpre për shkak të kërkesës së anëtarëve të mazhorancës për t’iu dhënë më shumë kohë pasi dosja ishte voluminoze.

Prokurorët e SPAK që paraqitën relacionin e tyre në Kuvend për mandatin e Ballukut, nga ana e tyre thanë që 5 ditë ishin mëse të mjaftueshme për leximin e dosjes.

Nga ajo ditë, opozita në Këshillin e Mandateve ka thërritur disa herë mbajtjen e mbledhjes, po ka hasur në veshin e shurdhër të mazhorancës, kjo edhe pas deklaratës së kryeministrit se për imunitetin e Ballukut do të vendoset pasi të shprehet Kushtetuesja më 22 janar.

Më herët gjatë ditës së sotme, PD paditi në SPAK kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se në mënyrë arbitrare ka penguar mbajtjen e kësaj mbledhje, duke shpërdoruar në këtë mënyrë detyrën.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë. GJKKO më herët vendosi masën e pezullimit nga detyra për të, por kjo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, duke lënë në fuqi vetëm ndalimin e daljes jashtë vendit.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u vendos që sesioni i ri parlamentar do të nisë më 19 janar 2026.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)