Kreu i grupit parlamentare të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të mbledhur më 28 janar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas Bardhit kanë kaluar më shumë se 6 javë nga depozitimi në Kuvend i kërkesës së SPAK dhe kjo është bërë për t’i dhënë kohë Ballukut që të tentojë të prishë provat.
Bardhi akuzoi mazhorancës dhe kryeministrin Rama se janë kthyer në bunker të korrupsionit dhe po pengojnë drejtësinë që të bëjë punën e saj.
“Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.
Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.
Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.
Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.
Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë”, shkruan Bardhi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)