6 deputetë të PD, të përjashtuar deri në mes të marsit, Noka: Urdhër i Ramës, e çojmë në gjykatë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër pas vendimit të maxhorancës për përjashtimin e gjashtë deputetëve të opozitës nga Kuvendi, duke e cilësuar atë si një akt politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama dhe në kundërshtim me rregulloren parlamentare.

20.01.2026. 13:56

Pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, Noka deklaroi se ai dhe pesë kolegët e tij janë përjashtuar nga aktiviteti parlamentar deri në mes të muajit mars, ndonëse sipas tij afati fillestar ishte vetëm një muaj.

“Rama ka kërkuar përjashtimin e opozitës dhe po merr peng Parlamentin. Afati i përjashtimit po shtyhet në kundërshtim me çdo rregullore, deri në mars. Është thënë një muaj dhe e çuan tre muaj”, u shpreh Noka.

Sipas deputetit demokrat, ky vendim përbën një akt hakmarrjeje politike ndaj opozitës, e cila sipas Nokës ka denoncuar lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës.

Ai akuzoi kryeministrin se po përpiqet të shpallë opozitën armike. “Edi Rama ka shpallur armiq ata që kanë denoncuar kartelet e drogës. Ky është një akt i papranueshëm dhe antidemokratik”, theksoi ai.

Flamur Noka bëri të ditur se opozita nuk do ta pranojë këtë vendim dhe se ai do të dërgohet në gjykatë për t’u anuluar. “Vendimin do e çojmë në gjykatë”, shtoi Noka.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)