Me akuza të forta ndaj qeverisë dhe tone të ashpra, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se Shqipëria ndodhet përballë një “regjimi diktatorial”, ndërsa ka sulmuar drejtpërdrejt zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kryeministrin Edi Rama, duke i akuzuar për korrupsion dhe kapje të institucioneve.
Gjatë një takimi me qytetarët në njësinë nr. 4 në Tiranë, Berisha u shpreh se misioni i Partisë Demokratike dhe i opozitës është shpëtimi i Shqipërisë nga ajo që ai e cilësoi si “diktaturë bandash”, një formë pushteti që, sipas tij, nuk respekton ligjin, normat dhe standardet demokratike. Ai theksoi se kjo formë qeverisjeje nuk vret fizikisht kundërshtarët, por “ekzekuton shpresën” dhe detyron qytetarët të largohen nga vendi.
Berisha u ndal veçanërisht te çështja e Belinda Ballukut, duke e akuzuar se ka “vjedhur popullin” dhe se mbrohet politikisht nga Edi Rama. Sipas tij, urdhër-arrestet dhe pezullimet “hidhen në kosh”, ndërsa kryeministri, siç tha ai, nuk guxon ta shkarkojë Ballukun, pasi ajo mund të implikojë drejtpërdrejt Ramën nëse përballet me drejtësinë.
Kreu i PD ngriti gjithashtu alarmin për shpopullimin e vendit dhe varfërinë, duke deklaruar se nga viti 2018 deri më sot Shqipëria ka më shumë vdekje sesa lindje dhe se rreth 49 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri ose buzë saj. Ai akuzoi qeverinë për shpërdorim masiv të fondeve publike dhe e cilësoi procesin zgjedhor si farsë, duke bërë thirrje për mobilizim opozitar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)