Në 15 vjetorin e krimit shtetëror të 21 janarit, kryeministri Edi Rama foli në ceremoninë e përvitshme, ku merrnin pjesë familjarë të viktimave të kësaj ngjarje të rëndë dhe përfaqësues të mazhorancës.
Kreu i qeverisë akuzoi policinë e asaj kohe se provokoi protestuesit pa nisur ende manifestimi, teksa shtoi se në zyrën e kryeministrit të asaj kohe ishte lëshuar kushtrimi
me “plumb ballit” ndaj protestës së opozitës.
Rama shtoi se protestuesit u qëlluan në një kohë kur protesta po përfundonte, teksa asnjë prej tyre nuk e kaloi gardhin e Kryeministrisë.
“15 vjet më parë në këtë godinë ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e Gardës dhe çetës famëkeqe të kryeministrit. Godina ishte forcuar me tela me gjemba, pas gardhit me hekura, që rrethonin kryeministrinë prej 14 shtatorit 1998, pjesë e të cilit ishin dhe të barrikaduarit në kryeministri në 21 janar 2011. Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit kishte lëshuar kushtrimin me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së asaj kohe. Kujtoj se kur po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, një blind u shfaq në horizont dhe gaz lotsjellës u hodh ndaj njerëzve pa nisur protesta. Rrëmuja e provokuar nga policia e ktheu protestën në një lëmsh kaotik, duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë. Protesta doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe ca vatrave zjarri të ndezura në kazanë, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kalojnë gardhin, përveç një veture që u filmua në portën anësore, e hapur çuditshëm si një kurth, asnjë nuk tentoi hyrjen në godinë.
Asnjë filmim nuk nxori në pah praninë e asnjë arme në radhët e protestuesve. Ndërkohë mijëra fishekë u shkrehën në ajër për të frenuar një turmë që u përfshi në konflikt, vetëm si pasojë e përpjekjes për të shpërndarë protestën pa u mbledhur. Por gjithsesi gjithçka u zhvillua jashtë kësaj godine. Dhe kur turma nisi të shpërndahej, tytat e pushkëve u ulën drejt trupave dhe morën 4 jetë, duke plagosur edhe disa protestues të tjerë, pasojë e mendjes kriminale, që nuk donte të humbte rastin për t’i treguar kundërshtarëve që të vriste me të vërtetë. Dreqi e di se çfarë i tha mendja atij dhe atyre që urdhëruan këtë krim shtetëror të pashembullt në Evropën perëndimore duke përvëluar shpirtin e prindërve, fëmijëve, bashkëshortëve të 4 trupave të rinj. Vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për këtë godinë kur vjen drita e ditës së 21 janarit”, tha Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)