Partia Demokratike ka vijuar turin e “Foltores”, këtë herë me një takim me anëtarë dhe mbështetës të Degës 2 në Tiranë, ku në qendër të fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha vendosi historinë e opozitës, akuzat ndaj qeverisë dhe situatën politike në vend.
Gjatë fjalimit, Berisha u ndal te rrugëtimi 35-vjeçar i Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një forcë të ndërtuar mbi ideale dhe sakrifica.
“Në 35 vite kur vështrojmë pas ne vijmë këtu si njerëz të idealeve. Si njerëz që sakrifikuan për idealet më fisnike, për lirinë e individit, për votën e lirë, për familjen,” u shpreh ai, duke theksuar se opozita u krijua në një terren armiqësor, por arriti të ndërtojë demokracinë dhe ekonominë e tregut.
Berisha akuzoi mazhorancën për përpjekje të vazhdueshme për të asgjësuar opozitën, duke e cilësuar qeverinë si “parti e krimit”. Ai deklaroi se lidhjet mes pushtetit dhe botës së krimit janë të hapura dhe të dokumentuara.
“Baronët e drogës ndërtojnë kullat, por shqiptarët marrin rrugët e botës. Ergys Agasi në emër të Suel Çelës dhe Troplinëve shkarkon njëri pas tjetrit ministrat,” tha Berisha, duke shtuar se edhe mesazhet e fundit nga SHBA kanë qenë të fokusuara në luftën kundër karteleve të drogës.
Kreu i PD-së u ndal edhe te proceset zgjedhore, duke i cilësuar ato si farsë.
“Sot sërish jemi në një diktaturë që dallon nga e para. Edi Rama shndërroi zgjedhjet në farsë,” deklaroi ai.
Berisha akuzoi kryeministrin për ndërhyrje në drejtësi dhe mbrojtje të zyrtarëve të inkriminuar.
“Ajo është e inkriminuar 100%, por ka zbatuar 100% vendimet e kryehajdutit,” u shpreh ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)