Fati i Belinda Ballukut, sot seanca në Gjykatë Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot dosjen lidhur me vendimin e GJKKO-së, sa i takon pezullimit nga funksionet qeveritare të Belinda Ballukut.

22.01.2026. 07:53

Fati i Belinda Ballukut, sot seanca në Gjykatë Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sot për të shqyrtuar një nga përplasjet më të forta institucionale të viteve të fundit, atë mes qeverisë dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që lidhet me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Seanca publike nis në orën 10:00 dhe ka si relator gjyqtarin Sandër Beci.

Procesi është vënë në lëvizje pas padisë së kryeministrit Edi Rama, i cili kërkon zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, duke kundërshtuar vendimin e GJKKO-së të nëntorit 2025 për pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare. Sipas qeverisë, ky vendim përbën tejkalim të kompetencave nga ana e pushtetit gjyqësor dhe cenon parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Në seancë janë ftuar të marrin pjesë Këshilli i Ministrave, SPAK, GJKKO, Kuvendi dhe Presidenca, duke e shndërruar çështjen në një debat të gjerë institucional.

GJKKO argumenton se pezullimi është vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e hetimeve dhe për të shmangur ndikimin e mundshëm në prova apo në procesin penal.

Kujtojmë që SPAK, i ka kërkuar Kuvendit heqjen e mandatit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, kërkesë që pritet të diskutohet në Këshillin e Mandateve në fund të muajit.

Balluku përballet me akuza që lidhen me tenderë të mëdhenj publikë, përfshirë Tunelin e Llogorasë dhe projekte të tjera infrastrukturore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)