Gazment Bardhi u shpreh se Partia Demokratike është pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por shtoi se nuk e kupton urgjencën me të cilën ai u soll në Kuvend, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
Kreu i grupit demokrat teksa propozoi mënyrën e ligjshme sesi ky vendim mund të miratohet u shpreh se kryeministri Rama duhet të kërkojë falje për deklaratat e bëra në drejtim të Donald Trump disa vite më parë.
“Qytetarët e dëgjuan hartimin e kolegut, por nuk dëgjuan asnjë fjalë se ku qëndron nxitimi i Shqipërisë për të përmbyllur ky proces sot. Nuk u shpjegua ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi historike tha kolegu. Po votohet 12 orë pasi ka mbërritur nga këshilli i ministrave. Kolegu duhet të kërkonte ndjesë që Rama e ka konsideruar Trump turpi i njerëzimit.
Ka qenë Rama, i vetmi lider që iu drejtuar presidentit të SHBA me “përfaqëson turpin e njerëzimit”. Një deklaratë që nuk i shkon kombit shqiptar në marrëdhëniet me SHBA. Ftesa i është dërguar Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk ishte Rama i vetmi lider në Ballkan që u ftua të ishte pjesë e Bordit. SHBA kishin ftuar në këtë bord Shqipërinë dhe Kosovën për rolin që ka kombi ynë në paqen në Ballkan e më gjerë.
Nuk mund të tallesh me presidentin e SHBA dhe të flasësh për arritje, ndërkohë që para pak vitesh e ke quajtur njeriun kyç të paqes si turpi i njerëzimit. Këta nuk mund të kërkojnë procedurë të përshpejtuar për një pr/ligj që nuk ka shkuar në Kuvend. Dokumentet që iu keni dhënë deputetëve janë pa firmë. Në atë vendim të Këshillit të Ministrave ka një kërkesë që të shqyrtohet ky pr.ligj me procedurë të përshpejtuar. E kuptoj që ju keni marrë urdhër vetëm për të votuar. Por ne jemi këtu dhe për transparencë për qytetarët”, tha Bardhi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)