Çështja “Balluku” në Kushtetuese, përfaqësuesja e Kryeministrisë: Gjykata Penale s'ka të drejtë të pezullojë ministra

Përfaqësuesja e Kryeministrisë, Jona Qosja në seancën që po zhvillohet në gjykatën Kushtetuese për çështjen "Balluku" ka deklaruar se Këshilli i Ministrave vlerëson se një gjykatë penale nuk ka kompetencë kushtetuese për të pezulluar nga detyra një ministër.

22.01.2026. 10:47

Çështja “Balluku” në Kushtetuese, përfaqësuesja e Kryeministrisë: Gjykata Penale s'ka të drejtë të pezullojë ministra

Në Gjykatën Kushtetuese vijon seanca për shqyrtimin e ankimimit të kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të GJKKO-së, e cila ka vendosur pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjatë seancës, përfaqësuesja e Kryeministrisë, Jona Qosja, deklaroi se Këshilli i Ministrave vlerëson se një gjykatë penale nuk ka kompetencë kushtetuese për të pezulluar nga detyra një ministër. Sipas saj, çështja nuk ka të bëjë me një ankimim kushtetues individual, por me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve.

“GJKKO pretendon se kjo kërkesë nuk mund të ngrihet, duke argumentuar se nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese. Ne sqarojmë se kjo nuk është një ankimim kushtetues individual dhe nuk ka të bëjë me mbrojtjen e të pandehurit. Kërkesat lidhen me marrëdhënien midis tre pushteteve. A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër? Ne vlerësojmë se jo”, u shpreh Qosja.

Ajo theksoi se Këshilli i Ministrave është organ i prekur drejtpërdrejt nga vendimi i pezullimit, pasi kjo masë cenon funksionimin normal të qeverisë dhe projekteve të saj.

“Pezullimi i ministres pengon funksionimin e strukturave dhe projekteve të Këshillit të Ministrave. Ministri i pezulluar nuk mund të propozojë më asnjë akt pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa kryeministri mund të propozojë vetëm për fusha që nuk mbulohen nga asnjë ministër. Në këtë mënyrë, kryeministri vihet në pozicionin ku duhet të zëvendësojë një ministër, gjë që e shtyn Këshillin të kërkojë shkarkimin e tij”, deklaroi ajo.

Sipas përfaqësueses së Kryeministrisë, mandati i një ministri nuk mund të pengohet nga asnjë pushtet tjetër përveçse nga Kushtetuta, pasi në të kundërt prishet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

“Mandati nuk mund të pengohet nga asnjë akt i asnjë pushteti tjetër, por vetëm nga Kushtetuta; përndryshe, prishet balanca e pushteteve. GJKKO ka juridiksion për të gjykuar veprën penale që ka kryer individi, por nuk ka kompetencë për të dhënë masa mbi mandatin e tij”, tha Qosja.

Ajo shtoi se për masa që pengojnë ushtrimin e detyrës së një ministri, organi kompetent është Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin përkatës.

“Vendimi i njëanshëm për pezullimin e zv.kryeministres nuk përmbush standardet kushtetuese dhe cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Vendimet për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkojmë pranimin e kërkesës sonë”, përfundoi përfaqësuesja e Kryeministrisë, Jona Qosja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)