Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi, paraqiti në Gjykatën Kushtetuese qëndrimin zyrtar lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, vendim i cili është ankimuar nga Kryeministria.
Në fjalën e saj, Arbi theksoi se vendimi i GJKKO-së ka krijuar konfuzion juridik mbi statusin e akteve kushtetuese, duke vënë në diskutim efektet e dekretit të Presidentit për emërimin e ministrit.
“Vendimi krijon një konfuzion juridik në lidhje me statusin e akteve. Dekreti i Presidentit për emërimin e ministrit është akt kushtetues që prodhon efekte juridike të plota, ndërsa vendimi i GJKKO është marrë në mungesë të një baze kushtetuese”, deklaroi Arbi.
Sipas përfaqësueses së Kuvendit, pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave sjell pasoja të rënda institucionale, pasi e ndalon ministrin të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë dhe krijon një situatë të ngjashme me shkarkimin nga detyra.
“Pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndalon pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e qeverisë dhe krijon një gjendje të ngjashme me shkarkimin. Ky pezullim është pa afat, pasi lidhet me kohëzgjatjen e hetimit, dhe mund të jetë i barabartë me një mandat të tërë qeverisës”, u shpreh Arbi.
Ajo nënvizoi se kjo situatë cenon drejtpërdrejt kompetencat kushtetuese të Kuvendit, si organi i vetëm që ka të drejtë të ndërhyjë në mandatin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
“Duke pranuar që pezullimi mund të arrijë deri te shkarkimi, cënohen kompetencat e Kuvendit si organ ligjvënës. Kjo mungesë baze kushtetuese nuk është një zbrazëti ligjore, por një zgjidhje e qëllimshme e Kushtetutës”, theksoi ajo.
Në përfundim, Kuvendi i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit të GJKKO-së dhe të garantojë respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Ne mbështesim kërkesën e Kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojmë pranimin e kësaj kërkese.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)