"Qytetarët nesër në protestë do t'i japin leksion qeverisë", Berisha mesazh Ramës: Rri në zyrë po je burrë!

Sali Berisha i ka kërkuar Edi Ramës që të mos e braktisë Kryeministrinë ditën e nesërme, por të qëndrojë në zyrë për të parë si burrë leksionin, që qytetarët do t'i japin mazhorancës përmes protestës së thirrur nga Partia Demokratike.

23.01.2026. 13:24

"Qytetarët nesër në protestë do t'i japin leksion qeverisë", Berisha mesazh Ramës: Rri në zyrë po je burrë!

Një leksion për qeverinë e ka cilësuar Sali Berisha protestën kombëtare që Partia Demokratike do të zhvillojë ditën e nesërme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shefi i opozitës paralajmëroi një tubim masiv, teksa i kërkoi kryeministrit Edi Rama që ta tregojë veten burrë dhe të qëndrojë në zyrë, për të parë qytetarët sesi do t’i japin mësimin që meriton.

“Është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë. Nesër i bëjmë gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë. Do t’ia japim mësimin që meriton qeverisë në protestën e nesërme. Qytetarët do t’i japin qeverisë një leksion të fortë. Rama të rrijë në zyrë, ta provojë. Dyert i ka të blinduara, le të rrijë aty nëse është burrë”, ishte thirrja e Berishës.

Kreu i demokratëve nënvizoi se në vijim Partia Demokratike do të ndërpresë çdo formë bashkëpunimi me mazhorancën e majtë dhe paralajmëroi nisjen e punës për reformë territoriale dhe zgjedhore pa përfshirjen e qeverisë, por duke bashkuar të gjithë frontin opozitar.

“Ne do të bëjmë reformën e vërtetë. Deputetët tanë do ta realizojnë atë. Me Edi Ramën nuk ka bashkëpunim, ka vetëm betejë”, deklaroi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)