Edi Rama reagon për protestën e PD: Jashtëderdhje në rrugë e plakut të lajthitur

Kryeministri Edi Rama ka dënuar aktet e dhunës në protestën e së shtunës para kryeministrisë, teksa akuzoi opozitën se që prej krijimit të saj e ka pasur pjesë të pandashme sulmin ndaj institucioneve.

25.01.2026. 09:17

Edi Rama reagon për protestën e PD: Jashtëderdhje në rrugë e plakut të lajthitur

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me protestën që opozita mbajti mbrëmjen e së shtunës para kryeministrisë ku pati edhe incidente të dhunshme, ku u hodhën molotov dhe sende të forta, teksa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Sipas Ramës, PD që nga lindja e ka pasur pjesë të saj dhunën dhe shkatërrimin e institucioneve, teksa protestuesit e djeshëm i cilësoi si mercenarët të rekrutuar nga rrugaçët e lagjeve.

Reagimi i Kryeministrit

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për  të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)