Reagimi i Ramës për protestën e opozitës, Gazment Bardhi: Koha e tij ka skaduar

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzon kryeministrin Rama se e ka humbur kontrollin dhe për këtë arsye urdhëroi edhe dhunë në protestën e fundit të opozitës. Sipas tij, koha e Ramës në krye të qeverisë ka skaduar.

25.01.2026. 11:04

Reagimi i Ramës për protestën e opozitës, Gazment Bardhi: Koha e tij ka skaduar

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me protestën që opozita mbajti një ditë më parë përpara kryeministrisë.

Sipas Bardhit, Rama e ka humbur kontrollin dhe urdhëroi policinë që të dhunonte me gaz lotsjellës dhe ujë me piper protestuesit.
Bardhi shton se nuk ka asnjë kryeministër në botë që mbron korrupsionin apo që paracakton tenderët, duke përfunduar se regjimi i Ramës është në orët e fundit.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin

Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper.

Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe i përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët.

Askund në Europë, Kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur.

Askund në Europë, një kryeministër nuk paracakton tenderat.

Askund në Europë, një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin.

Askund në Europë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë.

Askund në Europë, kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë!

Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama! Sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave.

As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më. Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, shkruan Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)