Vizita në Izrael, Rama takohet me Netanjahun, lë shënim tek ‘Muri i Lotëve’

Kryeministri Edi Rama ka vijuar këtë të hënë vizitën në Izrael, ku ka zhvilluar një takim me homologun Benjamin Netanjahu, përpara se t'i drejtohet pasditen e sotme Knesset-it me një fjalim.

26.01.2026. 12:30

Vizita në Izrael, Rama takohet me Netanjahun, lë shënim tek ‘Muri i Lotëve’

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Jeruzalem, Izrael, ku merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Mesditën e së hënës, Rama është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Sipas protokollit zyrtar, Rama është pritur nga kryeministri Netanyahu, ndërsa pasdite do të nderohet me një ceremoni të posaçme shtetërore në Kuvendin e Izraelit (Knesset).

Aty, ai do t’i drejtohet me një fjalim të veçantë deputetëve izraelitë, një privilegj që Knesseti ia rezervon vetëm një numri të kufizuar liderësh botërorë, përfshirë edhe ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Në seancë pritet të mbajnë fjalën edhe Kryetari i Knessetit, Amir Ohana, Benjamin Netanyahu dhe lideri i opozitës, Yair Lapid.

Përpara se të zhvillohej takimi me homologun izraelit, shefi i qeverisë shqiptare i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, vizituan edhe “Murin e Lotëve” në Jeruzalem, një nga vendet më të shenjta të besimit hebraik.

Gjatë vizitës në Murin e Lotëve, Kryeministri Rama ka lënë edhe një shënim.

“Është gjithmonë një përvojë unike të jesh përpara këtij Muri dhe uroj që Zoti, përmes këtij muri të fuqishëm, t’i dërgojë këtij qyteti forcën e Paqes!”, shkroi Rama.

Mediat izraelite kanë publikuar foto të Kryeministrit Rama teksa vendos letrën në mur, ndërsa mban në kokë një kipah, simbol respekti dhe përulësie ndaj Zotit në traditën hebraike.

Foto: Facebook/Edi Rama

Vizita e Kryeministrit Rama në Izrael do të përmbyllet të martën, me pjesëmarrjen dhe fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Kjo vizitë përkon me Ditën e Shoas, ditën e përkujtimit të 6 milionë hebrenjve të vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vizita vjen gjithashtu vetëm pak ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi aderimin e vendit në Bordin e Paqes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)