“Integrimi nuk është proces letrash, por ndryshim real”, Tabaku i kërkon deputetëve ti bashkohen nismës së PD për Kodin

Deputetja demokrate e vendosi theksin te fakti që një pjesë e ligjeve nuk kanë kaluar për konsultim publik, e cilësoi problematik edhe ligjin për armatimet.

27.01.2026. 12:07

“Integrimi nuk është proces letrash, por ndryshim real”, Tabaku i kërkon deputetëve ti bashkohen nismës së PD për Kodin

Mënyra si po procedohet në Kuvend me disa projektligje të rëndësishme ka nxitur shqetësime të forta te deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Nga foltorja e Kuvendit, ajo kërkoi që ligjet të cilat prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë lirinë e medias, Kodin Penal dhe ligjin për armatimet të mos miratohen me procedura të përshpejtuara.

“Nuk është e mjaftueshme që katër ligje të hiqen nga rendi i ditës. Një pjesë e projektligjeve nuk kanë kaluar fare konsultimin publik”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se praktika aktuale dëmton seriozisht procesin e integrimit europian. Sipas saj, procesi i integrimit europian nuk duhet trajtuar si një procedurë formale.

“Integrimi nuk është një proces letrash që miratohen, por një ndryshim real në jetën e qytetarëve”, theksoi deputetja. Mes kritikave për ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat argumentoi se janë paraqitur pa transparencë dhe pa dialog, Tabaku shtoi: “Qeveria i sjell këto ndryshime tinëzisht, duke vendosur masa shtrënguese dhe penalitete ndaj qytetarëve, pa asnjë diskutim real”.

përfaqësuesja e opozitës në Kuvend e cilësoi edhe ligjin për armatimet si një nga më problematikët, duke nënvizuar se ai kërkon debat të thelluar dhe përfshirje të grupeve të interesit. Për këtë arsye, Jorida Tabaku i bëri thirrje deputetëve të të gjitha krahëve politike që të mbështesin nismën e Partisë Demokratike për Kodin Penal. Sipas saj, ligjet duhet të diskutohen gjerësisht dhe jo të miratohen me procedura të përshpejtuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)