Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje për 19 personat e arrestuar gjatë protestës me dy akte të opozitës fundjavën e kaluar, ku u shënuan incidente përpara kryeministrisë dhe parlamentit.
Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për 5 nga të arrestuarit, arrest shtëpie për 5 të tjerë dhe për pjesën tjetër detyrim paraqitje.
Policia e Tiranës i arrestoi këta persona gjatë protestës së të shtunës ku u sulmua me molotovë, fishekzjarrë dhe sende të forta godinat e Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Incidentet u përshkallëzuan ndjeshëm dhe policia u detyrua të përdorte gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë turmën.
Gjatë kësaj proteste, raportohet se u lënduan dhe 11 efektivë policie që ishin angazhuar për mbarëvajtjen e rendit.
Opozita akuzoi policinë për dhunë në protestë dhe për arrestimin pa të drejtë të pjesëmarrësve, disa prej të cilëve ishin dhe të mitur.
Ndërkohë, një incident u regjistrua në hollin e Gjykatës Penale, ndërkohë që gykata ishte tërhequr për vendim. Avokatët e të arrestuarve për protestën e 24 janarit pretendojnë se janë provokuar nga një burrë duke krijuar tension.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)