171 mln euro nga BE për Ballkanin, Kosova nuk përfiton

BE ka ndarë 171 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, por Kosova përjashtohet për momentin për shkak të mungesës së ratifikimit të Marrëveshjes së Kredisë dhe Fondeve.

Burimi: REL

27.01.2026. 19:23

171 mln euro nga BE për Ballkanin, Kosova nuk përfiton

Komisioni Evropian ka shpallur një paketë mbështetjeje prej 171 milionë eurosh për të përshpejtuar zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, por Kosova nuk do të përfitojë nga këto fonde.

Sipas zëdhënësit të KE-së, Guillaume Mercier, arsyeja është se Kosova nuk ka ratifikuar ende Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, duke mos i përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa.

Nga fondet e reja, 94.7 milionë euro janë parashikuar për projekte infrastrukturore dhe 76.3 milionë euro për sektorin privat, ndërsa 2.9 milionë euro do të shkojnë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Investimet synojnë sektorë strategjikë si energjia, furnizimi me ujë, inovacioni dhe arsimi. Përveç kësaj, projekte konkrete përfshijnë vendosjen e internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e rrjetit të energjisë në Maqedoninë e Veriut dhe rinovimin energjetik të shkollave në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se këto investime jo vetëm që avancojnë infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik, por edhe i afrojnë partnerët e Ballkanit Perëndimor më pranë Bashkimit Evropian, duke e bërë mbështetjen e BE-së më konkrete dhe të prekshme për qytetarët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)