Presidenti pret trupin diplomatik, Begaj: Marrëdhënia me SHBA-BE-NATO, gur themeli

Presidenti Bajram Begaj, në takimin me Trupin Diplomatik, riafirmoi orientimin e palëkundur euroatlantik të Shqipërisë, partneritetin strategjik me SHBA-të, angazhimin për integrimin në BE dhe rolin e vendit si faktor stabiliteti në rajon.

Burimi: ATSH

28.01.2026. 21:43

Presidenti pret trupin diplomatik, Begaj: Marrëdhënia me SHBA-BE-NATO, gur themeli

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti mbrëmjen e së mërkurës pritjen e përvitshme me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, ku përcolli mesazhe të qarta mbi orientimin strategjik të Shqipërisë, sfidat globale dhe prioritetet e politikës së jashtme shqiptare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit ftoi ambasadorët ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre, duke theksuar se marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përkatësia në NATO përbëjnë themelet e sigurisë dhe orientimit ndërkombëtar të vendit.

“Përkatësia euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë nuk janë thjesht llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme për Shqipërinë”, tha kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj nënvizoi progresin e bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar hapjen e kapitujve të negociatave si një dëshmi të reformave të ndërmarra dhe të kalimit nga aspirata në një angazhim të strukturuar e të bazuar në meritë.

“Rruga drejt BE-së është një proces transformues që forcon institucionet, rrit standardet dhe konsolidon stabilitetin demokratik.”, u shpreh Begaj.

Duke iu referuar marrëdhënieve me SHBA-të, Presidenti i cilësoi ato si një partneritet të veçantë historik, të ndërtuar mbi besim, mirënjohje dhe vlera të përbashkëta, ndërsa përmendi edhe ftesën e Presidentit Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Në përfundim, Presidenti vuri theksin tek viti 2026 si një moment kyç për konsolidimin institucional dhe afrimin me standardet evropiane, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për paqe, demokraci dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)