Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës ligjore të ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca për çështjen e pezullimit të anëtarëve të kabinetit qeveritar, duke marrë shkas nga rasti “Balluku”.
Në një dalje për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin se po përpiqet të mbrojë veten dhe ministrat e tij përmes ndryshimeve ligjore. Sipas tij, vendi ndodhet në një moment kritik dhe zgjidhja e vetme është largimi i kreut të qeverisë.
“Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit më të rrezikshëm në të cilin ndodhet Shqipëria në tërë kohërat e saj. Dorëheqja dhe vetëm dorëheqja e këtij armiku të rrezikshëm të paqes, stabilitetit, qenies, rendit dhe sigurisë së shqiptarëve është kushti më themelor për zgjidhjen e kësaj krize që po përpin vendin çdo ditë e më shumë”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi Ramën se, për të mbrojtur veten nga përgjegjësitë ligjore, po ndërmerr hapa që dëmtojnë në themel sistemin e drejtësisë.
“Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze dhe vjedhjet e tij të pallogaritshme, po kalon në veprimtari të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten e tij dhe bandën e tij plaçkitëse qeveri. Amendamentet që kërkon të sjellë pas reagimit të fuqishëm dhe kartonit të zi që i nxorën në Bruksel, kanë si qëllim kryesor të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale”, deklaroi ai.
Duke folur për çështjen e pezullimit të zyrtarëve nga detyra, Berisha theksoi se kjo është një e drejtë e sanksionuar me ligj dhe e njohur ndërkombëtarisht.
“Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë dhe e gjykatave në çdo vend. Është një instrument për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë”, tha kreu i PD.
Berisha shtoi se pezullimi nuk nënkupton ndërprerje përfundimtare të funksionit, por një masë mbrojtëse në funksion të integritetit institucional.
“Pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend. Nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur. Përkundrazi, synon mbrojtjen e institucioneve, legjitimitetit dhe funksionimit të tyre në përputhje me ligjin”, theksoi kreu i opozitës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)