Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji zhvilloi sot një takim me strukturat dhe mbështetësit demokratë, në ambientet e Pallatit të Kulturës në Vlorë.
Salianji u prit me brohorima nga demokratët dhe qytetarët e pranishëm, ndërsa gjatë fjalës së tij foli për situatën politike në vend dhe për sfidat me të cilat, sipas tij, po përballet opozita.
“Ju falënderoj që më keni pritur sot. Ju jam mirënjohës që gjeni kohën dhe kontribuoni për PD. Vlora është qytet i pavarësisë, guximit dhe qyteti ku qytetarët kanë pasur guximin të ngrihen. Shqipëria ka nevojë ta sjellë politikën në shtratin e përgjegjësisë dhe normave dhe të mos jetë e shkëputur nga qytetarët. Situata në Shqipëri është alarmante dhe ka nevojë për dorëheqje. Në qarkun e Vlorës është dhënë një shembull ku drejtuesi ka dhënë dorëheqje”, u shpreh Salianji.
Gjatë takimit, ai u ndal edhe te raporti i qytetarëve me opozitën, duke theksuar se besimi ndaj lidershipit të Partisë Demokratike nuk është në nivelin e duhur.
“Qytetarët kanë një mesazh të qartë dhe ne duhet ta dëgjojmë. Qytetarët nuk e besojnë lidershipin e PD aq sa duhet dhe për këtë nuk fajësohet populli, por duhet të ndryshojnë politikanët dhe lidershipi, duke thënë: ‘Po, është përgjegjësia jonë, është përgjegjësia e kryetarit të PD’. PD ka qenë, është dhe do të jetë një forcë e madhe politike, por ne do ta bëjmë fituese”, tha ai.
Në fjalën e tij, Salianji foli edhe për sfidat e brendshme të partisë, duke theksuar se, sipas tij, PD po përballet me një krizë politike dhe organizative.
“Lufta kërcen në Iran, çmimet kërcejnë në Shqipëri dhe PD duhet të flasë për ato që shqetësojnë sot shqiptarët, si mungesa e shëndetësisë, apo arsimin. PD sot përballet me krizë politike dhe organizative për shkak se nuk do të dëgjojë. Në shumë raste është perceptuar si e shkëputur nga terreni, e mbërthyer nga një gjuhë politike e vjetëruar. Por PD duhet të jetë e hapur dhe meritokratike. Vetëm një opozitë e fortë në vlera mund të rikthejë besimin e qytetarëve. Por partia po bunkerizohet dhe shpik armiq imagjinarë”, deklaroi Salianji.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)