Shqipëria pritet të ngrejë 20 qendra të reja pritëse për emigrantët gjatë periudhës 2026–2028, sipas projektvendimit “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore”. Miratimi erdhi në mbledhjen e fundit të këshillit konsultativ të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV).
Qendrat e reja do të shërbejnë për pritjen e emigrantëve nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin territorin shqiptar dhe atë serb si korridor kalimi drejt Greqisë. Sipas dokumentit të cilit i referohet “Revista Monitor”, kapacitetet e qendrave do të variojnë nga 100 deri në 410 shtretër, ndërsa ato do të shpërndahen në tre qarqe të jugut të vendit: Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Aktualisht, strukturat pritëse janë të përqendruara kryesisht në Tiranë, si dhe në pikat kufitare të Gërhotit, Kakavijës dhe Kapshticës. Plani i ri synon një shpërndarje më të balancuar territoriale, duke shfrytëzuar hapësira publike ekzistuese, truall të lirë apo objekte të braktisura që mund të përshtaten për nevojat emergjente.
“Ngritja e kapaciteteve të reja mbështetet te një planifikim i balancuar i qendrave në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, duke siguruar përdorimin e infrastrukturës publike dhe reagim të shpejtë ndaj flukseve të papritura migratore”, theksohet në relacionin shoqërues të projektvendimit.
Plani konsiderohet një masë strategjike për menaxhimin e situatave të mundshme emergjente dhe rritjen e kapaciteteve pritëse të vendit gjatë dy viteve të ardhshme.
Vendet e identifikuara për ngritjen e strukturave të akomodimit
Qarku Korçë (të paktën 10 pika)
* Fshati Floq
* Ambientet e ish-TAP
* Në Bashkinë Pogradec
* Në Bashkinë Devoll
* Në qytetin e Bilisht
* Në fshatin Bitinckë
* Në Bashkinë Maliq, ish-depot e Rezervave Shtetërore në Lozhan
* Në Bashkinë Pustec (njësia Zaroshkë, fusha sportive e Pustecit, fusha sportive e Goricës së Vogël)
Qarku Gjirokastër (të paktën 3 pika)
* Gjirokastër (ish-Rezervat Shtetërore)
* Në Bashkinë Memaliaj (pranë Stadiumit “Karafil Çaushi”)
* Në Përmet (spitali i qytetit ose konviktet)
Qarku Vlorë
* Në Vlorë
Konviktet e “Qytezës së Studentit” dhe Shkollës Industriale
Pallati i Sportit “Flamurtari”
Shkolla e Marinës
Zyrat e Njësisë Administrative Novoselë
* Në Selenicë (fshati Peshkopi)
* Në Delvinë (stadiumi i qytetit)
* Në Himarë (stadiumi dhe ambientet e shkollave publike)
* Në Konispol (tre shkolla dhe Qendra Komunitare në Mursi)
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)