Aksion masiv në Velipojë, mbi 800 të rinj i bashkohen pastrimit të bregdetit

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, kryeministri Rama: Shembull frymëzues dhe mesazh ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës.

06.12.2025. 11:56

Aksion masiv në Velipojë, mbi 800 të rinj i bashkohen pastrimit të bregdetit

Mbi 800 nxënës dhe studentë u angazhuan në një aksion masiv pastrimi në bregdetin e Velipojës, duke dhënë një mesazh të fortë për mbrojtjen e mjedisit dhe rolin aktiv të të rinjve në komunitet. Nisma u zhvillua pas ndotjes së rëndë të vijës bregdetare, e shkaktuar nga mbetjet e shumta të sjella prej ditësh nga lumenjtë dhe përrenjtë e zonës.

Aksioni u realizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit dhe u organizua nga Qendra Rinore Atelie, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe pas ndërhyrjes paraprake të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Të rinjtë vijuan pastrimin e plazhit, duke rikthyer një pjesë të konsiderueshme të bregdetit në kushte normale.

Nisma mori vëmendje edhe në nivel qendror, ku Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga aksioni në rrjetet sociale, duke e cilësuar angazhimin e të rinjve si “një shembull frymëzues dhe një mesazh ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës”.

Sipas organizatorëve dhe institucioneve vendore, ky aksion shënon vetëm fillimin e një serie veprimtarish të tjera mjedisore, me qëllim forcimin e frymës së vullnetarizmit, përgjegjësisë qytetare dhe kujdesit të vazhdueshëm për mjedisin natyror.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)