Tirana ndez dritat e festave, atmosferë magjike në zemër të kryeqytetit

Tirana ndizet nga festa! Bashkia ndezi dritat e pemës së Krishtlindjes në Pazarin e Ri, ku qindra qytetarë shijuan performanca të fëmijëve dhe artistëve të vegjël, duke hapur zyrtarisht sezonin festiv të fundvitit.

06.12.2025. 19:45

Tirana ndez dritat e festave, atmosferë magjike në zemër të kryeqytetit

Dhjetori ka mbërritur dhe me të edhe atmosfera e ngrohtë festive që mbush qytetin me dritë e gëzim. Si çdo vit, Bashkia e Tiranës ka ndezur zyrtarisht dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, këtë herë në Pazarin e Ri, duke shënuar startin e festimeve të fundvitit.

Ceremonia u shoqërua nga një ambient i mbushur me emocione, ku fëmijët dhe të rinjtë nga kori i shkollave të Tiranës, artistët e vegjël dhe grupet e baletit performuan nën ritmet e muzikës festive, duke krijuar një atmosferë magjike për qindra qytetarët e pranishëm.

Ndërkohë, edhe Sheshi “Skënderbej” është shndërruar në një mozaik ngjyrash dhe dritash. Pema gjigante e vendosur në qendër të sheshit ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë, të cilët kanë zgjedhur ta shijojnë këtë moment të veçantë me familjarë e miq.

Tirana, edhe këtë fundvit, dëshmon se mbetet një qytet plot jetë, energji dhe tradita që bashkojnë të gjithë në një frymë gëzimi e solidariteti. Gëzuar festat!

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)