“Dita e Përkujtimit të Holokaustit”, Ambasada e SHBA: Shqipëria, vendi ku hebrenjtë gjetën strehim nga nazistët

U theksua partneriteti i vazhdueshëm i Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët.

27.01.2026. 15:34

“Dita e Përkujtimit të Holokaustit”, Ambasada e SHBA: Shqipëria, vendi ku hebrenjtë gjetën strehim nga nazistët

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka kujtuar dhe nderuar gjashtë milionë viktimat hebreje, në një prej periudhave më të errëta të njerëzimit. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane e vendosi theksin te përgjegjësia e përbashkët për të kujtuar të kaluarën dhe për të punuar rreth një të ardhme pa dhunë dhe urrejtje.

Në dedikimin e përfaqësisë së SHBA në Tiranë, nuk mund të mungonte as rikujtesa e fakteve historike, ku Shqipëria ishte vendi i pushtuar nga nazistët, por që garantoi strehim dhe siguri për hebrenjtë.

“Siç ka thënë Sekretari Rubio, ‘Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë’. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm”, shkruhej në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Aty theksohej edhe partneriteti i vazhdueshëm i Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)