“Një në tre çifte po ndahen”, INSTAT: Rriten divorcet, martesat në rënie historike

Sistemi gjyqësor po përballet me gjithnjë e më shumë çështje familjare, duke e kthyer krizën e martesës në një sfidë të rëndësishme sociale dhe institucionale.

Burimi: Revista Monitor

28.01.2026. 12:17

“Një në tre çifte po ndahen”, INSTAT: Rriten divorcet, martesat në rënie historike

Shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak dhe po divorcohen gjithnjë e më tepër. Të dhënat e INSTAT dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile tregojnë se viti 2024 shënoi një pikë kthese: martesat kanë rënë në nivelin më të ulët historik në vend, ndërsa divorcet kanë arritur shifra rekord.

Gjatë vitit 2024 u regjistruan vetëm 16,120 martesa, pothuajse sa gjysma e nivelit të vitit 1990, kur lidheshin rreth 29 mijë martesa në vit. Pas një periudhe relativisht të qëndrueshme deri në fillim të viteve 2000, rënia u bë strukturore pas vitit 2004 dhe u përshpejtua ndjeshëm pas vitit 2019. Pandemia e thelloi këtë prirje, por rënia ka vijuar edhe pas saj.

Në të njëjtën kohë, divorcet kanë ndjekur një trajektore në kah të kundërt. Në vitin 2024, një në tre martesa përfundoi në divorc. Treguesi i divorceve për 1,000 martesa arriti në 29,8%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, nga 9,2 që ishte në vitin 1990 dhe minimumi historik prej 5,9 në vitin 1997.

“Këto shifra pasqyrojnë një transformim të thellë shoqëror: shqiptarët tani janë më të pavarur ekonomikisht, më të ndikuar nga modelet perëndimore dhe më të fokusuar te mirëqenia personale sesa te ruajtja e martesës me çdo kusht”, shkruante revista “Monitor”.

Ekspertët e familjes theksojnë se rritja e divorceve lidhet me urbanizimin e shpejtë, emigracionin e të rinjve, presionin ekonomik dhe ndryshimin e normave sociale. Ndërkohë, sistemi gjyqësor po përballet me gjithnjë e më shumë çështje familjare, veçanërisht për ndarjen e pasurive dhe kujdestarinë e fëmijëve, duke e kthyer krizën e martesës në një sfidë të rëndësishme sociale dhe institucionale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)