Trump siguron: Hormuzi do hapet. Anijet amerikane nisin çminimin e ngushticës

CENTCOM bëri të ditur se dy anije luftarake kanë kaluar në ngushticë me qëllim sigurimin e kalimit të lirë të anijeve tregtare.

Burimi: BBC

11.04.2026. 22:14

Trump siguron: Hormuzi do hapet. Anijet amerikane nisin çminimin e ngushticës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur operacionin për pastrimin e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane CENTCOM bëri të ditur se dy anije luftarake të Marinës amerikane, USS Frank E. Petersen dhe USS Michael Murphy kanë kaluar në ngushticë me qëllim sigurimin e kalimit të lirë të anijeve tregtare dhe verifikimin e zonës për mina të mundshme detare.

Sipas deklaratës së komandës amerikane, ky operacion synon hapjen e një “korridori të sigurt detar”, për të garantuar vazhdimësinë e qarkullimit tregtar në rajon.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar kapacitetet ushtarake të Iranit, duke përfshirë flotën detare dhe forcën ajrore dhe se Ngushtica e Hormuzit “do të rihapet së shpejti”.

Trump gjithashtu tha se cisterna të zbrazëta nafte janë nisur për t’u furnizuar, duke theksuar se veprimet ushtarake do të ndalen nëse Irani pranon të rihapë ngushticën.

Ngushtica e Hormuzit, e cila kontrollon një pjesë të madhe të furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, është mbyllur pjesërisht pas përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Rreth 20% e tregtisë globale të naftës kalon përmes kësaj rruge strategjike, duke e bërë situatën tepër të ndjeshme për ekonominë botërore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)