Një valë misterioze vdekjesh dhe zhdukjesh të shkencëtarëve në Shtetet e Bashkuara ka vënë në lëvizje autoritetet federale.
FBI ka hapur një hetim zyrtar që përfshin të paktën dhjetë persona të lidhur me projekte të ndjeshme shtetërore, përfshirë energjinë bërthamore, teknologjitë hapësinore dhe sektorin e mbrojtjes. Disa nga rastet më të fundit janë raportuar në Kaliforni, duke shtuar dyshimet për një model të mundshëm pas këtyre incidenteve.
Shumë nga shkencëtarët e përfshirë kishin bashkëpunuar me institucione të rëndësishme si NASA dhe laboratorë kombëtarë, përfshirë Los Alamos. Po ashtu, disa prej tyre ishin të lidhur me “Jet Propulsion Laboratory”, një nga qendrat kryesore të kërkimit hapësinor në SHBA.
Rasti ka tërhequr edhe vëmendjen e politikës amerikane. Disa senatorë dhe anëtarë të Kongresit, mes tyre edhe Ana Paulina Luna, kanë kërkuar hetime të thelluara mbi këto ngjarje. Në të njëjtën kohë, edhe Komiteti i Mbikëqyrjes në Kongres ka nisur një hetim paralel dhe ka kërkuar informacion shtesë nga institucionet përkatëse.
FBI bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Departamentin e Energjisë, Pentagonin dhe autoritetet lokale, me qëllim përcaktimin nëse këto raste janë të lidhura mes tyre apo bëhet fjalë për incidente të izoluara.
Deri më tani, vetëm një rast ka pasur zhvillim konkret, ai i vrasjes së astrofizikantit Karl Grilmair, për të cilin është ngritur aktakuzë ndaj një të dyshuari. Ndërsa rastet e tjera mbeten të paqarta, me shkaqe që variojnë nga aksidentet e deri te dyshimet për vetëvrasje, ndërsa disa persona rezultojnë të zhdukur pa gjurmë.
Megjithëse kanë qarkulluar spekulime për përfshirje të shërbimeve të huaja apo sulme të koordinuara, autoritetet amerikane theksojnë se aktualisht nuk ka prova që mbështesin këto pretendime. Hetimet vijojnë, ndërsa mbeten ende shumë pikëpyetje mbi natyrën e këtyre ngjarjeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)