Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për sekuestrimin e pasurive të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Në një postim në “Facebook”, Këlliçi rikujtoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili më herët ishte shprehur publikisht se Karçanaj “nuk ka shtëpi dhe as makinë”.
Sipas deputetit demokrat, zhvillimet e fundit hedhin poshtë atë që Rama ka deklaruar dhe e vendosin kryeministrin përballë përgjegjësisë politike. “Edi Rama doli garant për ndershmërinë e saj, tha se nuk ka makinë e shtëpi. Sot duhet të mbajë përgjegjësi”, shkruante Këlliçi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Ai thekson se SPAK ka zbuluar një skemë të rëndë korrupsioni të lidhur me AKSHI-n, institucion që sipas tij është kthyer në një strukturë të kontrolluar nga Rama dhe rrethi i tij. “40 milionë euro në total, përfshirë dhe Agasin, Beqirin e Hoxhën për aktivitetin e tyre kriminal që lidhet me AKSH-in, cilësuar si kopshti personal i Ramës dhe familjes së tij”, deklaroi Këlliçi.
Deputeti i PD shton gjithashtu se, sipas SPAK, ryshfetet dyshohet se jepeshin në euro, në prerje nga 100 deri në 500 euro, dhe transportoheshin të futura në kuti vere. “Sigurisht, edhe sot kur është vërtetuar gënjeshtra e tij, Edi Rama nuk do të mbajë përgjegjësi. Ai me siguri do jetë duke u marrë me një aferë tjetër. Por mbrojtësi më i madh i korrupsionit në historinë tonë, herë me votë në Kuvend e herë me deklarata e kërcënime publike, nuk do ta ketë të gjatë”, e përfundoi qëndrimin e tij Këlliçi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)